Nëse ka një hotel në Korçë që ne gjithmonë kemi vuajtur për dhomë se në booking dilte përherë “Sold Out”, ishte Hani i Pazarit. Hoteli i parë që të bie në sy në fakt sa hyn për te Pazari…i cili nuk dallohet vetëm për pozicionin e tij. Por këtë dhjetor patëm fat, dhe të premten u nisëm për të shijuar suitën e Hanit, e restorantin gjithashtu, për t’ju përcjellë edhe ju, përshtypjet tona.
Hoteli:
Shërbimi: E përmbledhim me vetëm një fjali: Një shërbim super i rafinuar, në një hotel tradicional, klasik e të thjeshtë në të njëjtën kohë.
Dhoma: Ne rezervuam suitën për pak më shumë hapësirë e llastim, por edhe dhomat e tjera ishin shumë të këndshme. Super të ngrohta, të pastra. Mobilimi tradicional, dritaret e vogla dhe dritat e ulëta, ishin detajet që e shndërronin dhomën në një ambient shumë qetësues e komod.
Design: Në Korçë, kush dashuron tradicionalen, duhet patjetër të vijë te Hani. Deri në detajin më të vogel, hoteli karakterizohet nga druri, guri, dritaret e mbuluara me “kurtina”, çentrot nëpër tavolina etj…
Restoranti:
Menuja: Një menu e larmishme verërash, si dhe menuja e ushqimit karakterizohej gjithashtu nga tradicionalja. Do të veçonim tavën me brinjë viçi e petka Korçe.
Ambienti: Oh, si mund mos e përmendim ambientin. Jemi kënaqur me muzikë live, e atmosferën e serenatave Korçare!!! Çfarë të themi më shumë?
Po e mbyllim me temën më të rëndësishme: Çmimet. Edhe pse është një diskutim kjo pjesa e çmimeve që nuk ka fund, si restoranti ashtu edhe hoteli, ishin me çmime jashtëzakonisht të arsyeshme për cilësinë, shërbimin dhe ambientin që ofronin.
Ndaj, mos u mendoni 2 herë, se dimri kalon shpejt…ju sugjerojmë të rezervoni sa më shpejt, se edhe Hani aq dhoma ka, dhe të shijoni një natë tradicionale Korçare me pak luks brenda.