
Në botën e modës dhe luksit, ora ka qenë gjithmonë më shumë se një instrument për matjen e kohës. Ajo është një deklaratë stili, një simbol statusi dhe shpesh një pasqyrim i personalitetit të atij që e mban.

Shumë njerëz e zgjedhin një orë bazuar në dizajnin dhe stilin që i përshtatet më së miri look-ut të tyre të përditshëm. Markat si Daniel Wellington dhe Skagen kanë sjellë një frymë të re të orëve të thjeshta, por elegante, që shërbejnë si një aksesor modern për të dy gjinitë.

Marka të tjera si Bulgari me orën Serpenti apo Graff kanë prezantuar orën si një “statement piece”; dizajn i guximshëm, gurë të çmuar apo ngjyra të veçanta, të cilat shpesh përdoren për të theksuar një stil unik.

Modelet smart, si Apple Watch apo Garmin, janë bërë pjesë e përditshmërisë së njerëzve me një stil jete aktiv, duke ofruar jo vetëm stil, por edhe funksionalitet.

Megjithatë, nga Patek Philippe te Rolex, orët e luksit nuk janë vetëm një aksesor mode; ato janë investim dhe shenjë suksesit. Ndërsa markat si Audemars Piguet dhe Vacheron Constantin krijojnë orë në edicione të limituara, të destinuara për një elitë të veçantë, duke u bërë një simbol i ekskluzivitetit.
