Sugjerimi i Javës nga Stylisphere Muzeu i Pafajësisë

Kjo histori dashurie (apo obsesioni, këtë vendoseni ju në fund) vendoset në Stambollin e vjetër të viteve ’70, mes dritave të ngrohta, interierëve vintage, elitës së pasur të asaj kohe, klasave sociale dhe pritshmërive familjare që vijnë me përgjegjësi.

Kemali është i fejuar me Sibelin: e bukur, elegante, e edukuar sipas standardeve të klasës së lartë. Ajo përfaqëson zgjedhjen “e duhur” ndërsa lidhja, prestigjin. Fejesa e tyre është simbol i stabilitetit dhe vazhdimësisë sociale. Por pikërisht këtu nis lëkundja…

Paralelisht, në jetën e Kemalit hyn një tjetër figurë: më e re, më spontane, më e papërpunuar nga kodi i elitës. Ajo nuk përfaqëson statusin; përfaqëson ndjesinë. Dhe pikërisht aty nis tensioni i brendshëm: mes asaj që është “e duhur” dhe asaj që ndihet e vërtetë.

Ajo që e bën këtë histori të veçantë është transformimi i brendshëm i personazhit kryesor. Ky nuk është një rrëfim për dy njerëz që dashurohen; është një rrëfim për mënyrën si një njeri fillon të jetojë brenda kujtimit të një dashurie.

Seriali nuk mban anë, nuk gjykon, nuk dramatizon me tepricë. Ai thjesht vendos kamerën mbi një ndjenjë që rritet ngadalë dhe të lë të reflektosh: kur dashuria kalon kufirin e saj, a mbetet ende dashuri… apo shndërrohet në diçka tjetër?

Dhe pastaj vjen pyetja që e bën gjithë rrëfimin më kompleks:A e dashuroi Kemali vërtet Fusunin si person? Apo dashuroi idenë e pafajësisë së saj: idenë e diçkaje të paprekur, të pastër, që ai mund ta ruante, ta arkivonte, ta kthente në kujtim të përjetshëm?