Big Brother VIP
Është tashmë një format që e njeh shumë mirë mekanizmin e spektaklit. Këtë edicion, dinamika u mbajt nga emra si Selin, Miri, Mateo, Brikena, Greta, Gimbo, Rogerti, Juela. Loja e Big Brother mbështetet fort tek aleancat, debatet apo edhe te vëmendja që marrin çiftet e dashuruara.
Një diferencë që bie në sy është niveli i prodhimit.
Skena, regjia, mënyra si përdoret drita, zëri dhe montazhi krijojnë një përvojë që është vizualisht shumë e kuruar. Momente si hyrja me hologram e Ledion Liços tregojnë qartë ambicien e këtij formati për të qenë një hap përpara në realizim.
Një tjetër element që e definon formatin është prezantimi.
Ledion Liço ka një stil karizmatik që e shtyn lojën përpara me spontanitet, batuta dhe thjeshtësi. Ai e prek audiencën përmes mimikave, energjisë në skenë dhe atyre momenteve të vogla, si kërcimet e lezetshme, që i japin një ritëm natyral gjithë spektaklit.
Në krah të tij, Arbër Hajdari funksionon si një bosht stabil, duke i dhënë diskutimit strukturë dhe balancë, ku shpesh publiku gjen të reflektuar mendimin e vet. Ndërsa figura si Monika Kryemadhi, këtë sezon, kanë kaluar në personazhe që prodhojnë vetë narrativë.
Në thelb, Big Brother mbetet një format me shumë pushtet mediatik. Ka aftësinë të vendosë tema, të krijojë diskutim publik dhe të mbajë vëmendjen për javë të tëra. Edhe kur loja bëhet më e parashikueshme, ai nuk bie në rëndësi sepse tashmë ka ndërtuar një lidhje të fortë me publikun.
Nga ana tjetër, Ferma VIP
Nuk vjen me të njëjtën strukturë. Nuk tenton të kontrollojë narrativën (të paktën ende jo). Ajo mbështetet te spontaniteti dhe te karakteret që nuk janë të “formatuara” nga loja. Përzgjedhja e figurave si Mimoza Ahmeti apo Ermiona Lekbello mundësojnë që spektakli të ndjekë një linjë të paparashikueshme.
Kjo qasje reflektohet edhe te mënyra si drejtohet.
Arbana Osmani di shumë mirë të hyjë në debat, të pozicionohet madje edhe ta shtyjë situatën aty ku e sheh të nevojshme.
Por deri tani, është vënë re se mënyra që po preferon, anon më shumë drejt natyralitetit sesa kontrollit. Ndërhyrja e saj vjen për ta orientuar diskutimin drejt asaj që ka krijuar interes te publiku.
Sa i përket strukturës vizuale, Ferma është një koncept që i afrohet më shumë një realiteti të njohur për publikun shqiptar.
Ambienti rural, puna, mungesa e luksit; të gjitha këto krijojnë një ndjesi që është më e prekshme dhe më e afërt.
Çfarë vihet re, dhe vlen për t’u theksuar, është se personazhet që gjenerojnë tension nuk janë domosdoshmërisht të mbrojtur nga formati. Përkundrazi, nëse perceptimi i publikut anon negativisht, kjo reflektohet. Rasti i Akil Varfit është një shembull i qartë: një figurë që prodhon debat dhe dinamikë nuk garantohet të qëndrojë, për sa kohë që nuk arrin të pranohet nga publiku.
Nga ana tjetër, edhe pse jemi ende në fillim, opinionistët kanë nisur të krijojnë profile të qarta.
Einxhel Shkira është një nga zgjedhjet më të qëlluara të këtij formati. Gjithmonë e vlerësuar për zgjuarsinë, dhe në këtë rol, ajo po funksionon si një zë që është shumë afër mënyrës si mendon publiku duke dhënë një lexim të saktë të situatave.
Në anën tjetër, Armina Mevlani sjell një energji krejt tjetër. Është më e ngrohtë, më e kujdesshme në qasje, dhe nuk pozicionohet përmes mendimeve konfrontuese. Roli i saj duket se sjell një këndvështrim më njerëzor dhe empatik.
Ndërsa Ermal Mamaqi është elementi që mesa kemi parë, çdramatizon situatën, përdor humorin dhe batutën si mënyrë për të dhënë mendimin e tij, dhe shpesh e bën analizën më të lehtë për t’u përtypur nga publiku.
Së bashku, krijojnë një panel që nuk është i njëtrajtshëm, por i ndërtuar mbi kontraste: racional, emocional dhe argëtues.
Në fund, pyetja “kush sfidoi kë” nuk është më aq e paqartë sa në fillim. Por në këtë përballje, sfida nuk ka ardhur vetëm në një drejtim.
Big Brother si format dhe spektakël ka sfiduar Ferma VIP duke vendosur standardin!
Në prodhim, Big Brother ka krijuar një formë të qartë se çfarë duhet të jetë një reality në televizion sot. Ka ngritur pritshmëritë e publikut dhe ka krijuar afeksion, pavarësisht ciklit të lojës. Është një format që i merr personazhet (të njohur apo më pak) dhe i vendos në një strukturë që ka mundësinë t’i amplifikojë (ose e kundërta).
Nga ana tjetër, Ferma VIP e ka sfiduar Big Brother në një drejtim krejt tjetër.
Në spontanitet, në mënyrën si janë përzgjedhur personazhet, në një hapësirë që duket më pak e filtruar dhe më pak e ndërtuar. Ka sjellë ndjesinë e diçkaje të re, të papritur, më të lirë në rrjedhë, më “fun”, më “chill”, dhe më pak të lidhur me një strukturë të fortë televizive.
Sepse me Arbana Osmanin nuk kemi të bëjmë me një emër që po eksploron një terren të panjohur. Përkundrazi, është një figurë që e njeh shumë mirë spektaklin, publikun dhe mënyrën si ndërtohet vëmendja. Pikërisht për këtë arsye, pritshmëria nuk është thjesht që Ferma të vazhdojë në këtë linjë spontane, por që ta zhvillojë më tej dhe të gjejë identitetin e saj të plotë. Sepse në këtë fazë, Ferma nuk po provohet nëse funksionon.
Po provohet deri ku mund të shkojë!
stylisphere
most read


Shenja e zodiakut që kthehet gjithmonë për të fituar zemrën tuaj

Ja pse ngrirja e vezëve po bëhet gjithnjë e më e zakonshme Tek gratë në të 30-at…





