Sushi, sushi, sushi🍣
Ndonjëherë mendojmë, sa shumë janë shtuar restorantet e Sushi në Tiranë, secili me një veçori të vetën. Dikush për atmosferën, dikush për shijet pak ndryshe që sjell, dikush tjetër për design që ka, e kështu me rradhë.
Te Sushico Albania erdhëm për të provuar pak Japoni, pak Tajlandë e pak Kinë, dhe për të dhënë pak Stylisphere
Shërbimi: Të shpejtë e shumë të sjellshëm. Zonjusha që na shërbeu (që nuk mundëm t’ja mësonim dot emrin), shumë xhentile, herë pas here me sugjerime.
Specialitetet: Mendojmë që kur vjen puna te këto lloj ushqimesh, më shumë varet nga shija e secilit sesa te aftësia jonë për të kuptuar diferencën. Ndaj dhe ne po nisemi nga shijet. Do të diferenconim gyoza me karkalec deti, me shije fantastike e krokante dhe absolutisht të gjitha sushit. Të përgatitura në mënyrë të përsosur, pa asnjë lloj yndyre dhe çdo ingredient ndihej shumë lehtësisht.
Gjithashtu dhe ananasin e skuqur me akullore dhe arra të karamelizuara, i lehtë dhe kombinim interesant i akullores me arrën e karamelizuar.
Kini parasysh, që ushqimet në përgjithësi kishin aromë të theksuar, erëza të shumta dhe salca të ëmbla!
Ambienti: Do të veçonim faktin që kuzhina ishte e hapur, dhe ishte e vendosur në mes të lokalit. Krijon fiks një vibe sikur je në Kine ose në Japoni në ato restorantet tipike të sushit. Jo overcrowded, ndoshta dhe orari që ne shkuam, s’ishte as drekë tamam, e as darkë. Por ishte ok, muzika në sfond, dritat e ulëta…
Çmimet: Një nga restorantet e sushit në Tiranë me çmimet më të arsyeshme. Për servirjen, racionet dhe cilësinë! Ne do ta rendisnim te restorantet mesatare.
Si përfundim, Sushico Albania, bashkë me ca kritika të vogla tonat mbi pjesën e pjatave në tavolinë (do ishte mirë të kishin një shtrojë poshtë), apo herë pas here aroma më të theksuara seç duhet, si ajo e tonit të tymosur te patatet japoneze…është padiskutim një restorant që duhet ta provoni për menunë shumë të larmishme që kishte, mënyrën e servirjes si dhe për faktin që ushqimet (sidomos sushit) ishin të përgatitura tepër shëndetshëm e pa asnjë lloj yndyre!