Jo gjithmonë frekuentojmë restorante gjatë ditëve të javës për dreka. Edhe atëherë kur ndodh, mund të jetë një takim pune ose një ditë pune e përfunduar pak më herët (si kjo e jona sot) ndaj sigurohemi të gjejmë vende të qeta ku bisedohet lirshëm, të arritshme dhe praktike. Një nga këto është dhe Ulliri Albania. Përveç faktit që Ulliri i plotëson veçoritë e mësipërme, dolëm edhe në disa përfundime të tjera👇
Shërbimi: Teksa hyn në restorant, vërehet një shërbim i rafinuar e shumë i sjellshëm. Shumë të shpejtë në servirjen e menuve, sugjerimit të ndonje pije apo specialiteti.
Specialitetet: Tani, menuja kishte nga të gjitha dmth, pasta, rizoto, pica, pinsa, det, tokë… çdo gjë. E njëjta gjë vlen dhe për menunë e verërave. Ne nuk ishte hera e parë që shkojmë te Ulliri dhe le të themi, porositëm ato që parapëlqejmë, dhe që mendojmë që janë për t’u veçuar; Djathe Dhie i pjekur me petë dhe susam; sallatën Avokado me karkalec të mbështjellë me kadaif dhe me një dressing fantastik luleshtrydhe si dhe kush mbaron për pasta, mos të lërë pa provuar Papardelet me Ragu Viçi dhe ëmbëlsirën Break Me me çokollatë qumështi, marshmallow dhe brownie, është MUST!!!
Një “kritikë” e vogël nga ne, Pinsa Al Funghi ishte pak e yndyrshme, dhe (madje e biseduam dhe me kamarierin) aroma e kërpudhave ndihej tepër duke “luftuar” kështu shijen e tartufit.
Ambienti: Familjar, me shumë hapësirë, gjë që të krijon komoditet, dhe në të njejtën kohë, aq me hapësirë, aq edhe i qetë…vlen për t’u vlerësuar. Design nga më të veçantët. Vendodhje praktike, lehtësisht i arritshëm.
Çmimet: Duke krahasuar gjithmonë, cilësinë e shërbimit dhe atë të ushqimit, vendodhjen, dhe ambientin, çmime mëse të arsyeshme. Shtrenjtë ose lirë kjo është relative, ndaj mos harroni, çelësi qëndron gjithmonë te porosia juaj, dhe çdo gjë është zgjedhja juaj!