Search
Close this search box.

Të Veshësh një Pikturë Kur Piktura dhe Moda U Bënë Një

Pak dite më parë, në tapetin e kuq të çmimeve Grammy pamë të parakalonte Chappell Roan me një fustan nga Jean Paul Gaultier Spring 2003 couture, më herët veshur nga Beyonce. Fustani nuk ishte një stilim i thjeshtë, por një vepër arti, një simbiozë midis pikturës dhe modës, një fustan ku në tyl ishte printuar piktura me balerinat ikonike te Edgar Degas-it. Frymëzuar nga ky moment, ne kemi përzgjedhur për ju momentet kur piktura dhe moda janë bërë një. Nga Yves Saint Laurent deri te Dior, ja disa nga bashkëpunimet më të paharrueshme midis pikturës dhe modës.

Yves Saint Laurent dhe Mondrian
Një nga shembujt më të famshëm të ndërthurjes mes pikturës dhe modës është koleksioni i Yves Saint Laurent (YSL) i vitit 1965, i frymëzuar nga pikturat abstrakte të Piet Mondrian. Fustanet e tij ikonike me prerje të thjeshta dhe blloqe me ngjyra të kuqe, blu, të verdhë dhe të bardhë i dhanë jetë artit kubist të Mondrianit, duke krijuar një koleksion që sot është pjesë e historisë së modës.

Elsa Schiaparelli dhe Salvador Dalí
Elsa Schiaparelli, një nga stilistet më të guximshme të shekullit XX, bashkëpunoi disa herë me surrealistin Salvador Dalí. Një nga krijimet më të famshme të tyre është “Lobster Dress” (Fustani me Karavidhe) i vitit 1937, ku një vizatim i një karavidheje nga Dalí u printua mbi një fustan të bardhë me tyl. Ky fustan u bë ikonë pasi u vesh nga Wallis Simpson, Dukesha e Windsor-it.

Alexander McQueen dhe Piktura Gotike
Alexander McQueen shpesh ka përdorur artin si burim frymëzimi, por një nga koleksionet më të paharrueshme ishte ai i pranverës 1999, ku gjatë shfaqjes dy robotë industrialë lyen me bojë një fustan të bardhë, duke krijuar një nga performancat më të jashtëzakonshme.

Versace dhe Andy Warhol
Gianni Versace ishte një nga stilistët që përdori artin pop si element qendror në koleksionet e tij. Në vitin 1991, ai krijoi një koleksion të frymëzuar nga pikturat e Andy Warhol, duke përfshirë portrete të Marilyn Monroe dhe James Dean të printuara në fustane dhe xhaketa me ngjyra të ndezura. Ky koleksion u bë një nga më ikonikët e Versace-s, duke mishëruar frymën e viteve ’90 dhe artin e Warhol.

Louis Vuitton dhe Yayoi Kusama
Louis Vuitton ka bashkëpunuar disa herë me artistë të mëdhenj, por një nga bashkëpunimet më të spikatura ka qenë ai me artistën japoneze Yayoi Kusama. Në koleksionin e vitit 2012 dhe përsëri në 2023, marka franceze solli veshje, çanta dhe aksesorë të mbuluar me pikat karakteristike të Kusama-s. Ky koleksion solli një përzierje mes surrealizmit të saj dhe elegancës së Louis Vuitton.

Dior dhe Frida Kahlo
Koleksioni Resort 2024 i Dior-it, i prezantuar në maj 2023 në Antiguo Colegio de San Ildefonso në Mexico City, ishtë një homazh për artisten ikonike meksikane Frida Kahlo. Maria Grazia Chiuri, drejtoresha kreative e Dior-it, u frymëzua nga ndërthurja e elementeve mashkullore dhe femërore në veshjet tradicionale meksikane, duke krijuar silueta që pasqyrojnë këtë ndërthurje.

Nga impresionizmi te pop-arti, moda ka gjetur gjithmonë mënyra për të bërë artin të veshshëm. Këto koleksione janë prova që arti nuk është i destinuar vetëm për galeritë dhe muzetë, por mund të jetë edhe një formë e shprehjes personale nëpërmjet modës.